Rezart Lahi
Drejtor i lajmeve ne “SHTV”
1.Besoj do të ketë një mirëkuptim të admirueshëm, jo vetëm pse kemi të bëjmë me një komb, por edhe pse Tirana zyrtare ka një diplomaci shumë dashamirëse edhe ndaj vendeve të tjera dhe jo më ndaj Kosovës. Vetë lobimi për Kosovën në kufijtë maksimal të mundësive të diplomacisë shqiptare vlen nga të dyja palët për të krijuar një marrëdhënie tepër të ngushtë. Megjithatë, këto dy shtete duhet ta shohin njëri-tjetrin si fqinj, duke respektuar kështu edhe vetë shpalljen e shtetit më të ri në botë, Kosovës, dhe jo duke e parë atë si vëllanë e vogël të Tiranës zyrtare.
Nuk ka si të jetë ndryshe, veçse një mbështetje e ndjeshme, ku dy shtete me kombësi shqiptare përfaqësohen zyrtarisht në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare.
2.Më shumë do ta quaja nacionalizëm ekstrem që përcillet me një frymë negative. Akoma shumë prej drejtuesve serbë që nxisin, ndezin apo drejtojnë turmat radikale nacionaliste nuk kanë kuptuar një gjë mjaft të rëndësishme: Serbia nuk mund të ndërtojë identitetin e saj mbi Kosovën, pasi asnjëherë nuk ka qenë pjesë e identitetit të këtij vendi. Serbia ndodhet vetëm para dy zgjidhjeve, ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe mbështetjes edhe të pakicave të saj që ndodhen në shtetin e ri kosovar apo të vetizolohet duke ndërprerë marrëdhëniet me pjesën më të madhe të shteteve në botë. Kjo zgjidhje do ta shënjestronte cilindo lider serb si udhëheqës të dhunës dhe shkatërrues të diplomacisë e ekonomisë së këtij vendi. Dhuna serbe në ambasadën amerikane apo në institucione të tjera nuk është një dëshirë spontane e ca të rinjve të papunë, por një organizim i pjesës më ekstremiste politike serbe që rrezikon të kthejë këtë vend në gropën e zezë ku u gremis pas disfatës që i solli NATO në Kosovë. Politika drejtuese e Serbisë ka qenë gjithmonë fatkeqësia dhe tragjedia e popullit të saj. Të mos harrojmë historinë e viteve të fundit të ish-Jugosllavisë.
3.Realisht edhe në kontaktet e mia këto ditë në Prishtinë, kam hasur e ndeshur në një indiferentizëm ndaj flamurit të ri. Besoj se ai do jetë simboli në ceremoni zyrtare dhe pasaporta e kosovarëve. Ndërsa në festimet mes tyre, gëzime të përditshme apo edhe në stadiume, do valëvitet shqiponja tashmë me dy koka dhe dy kryeqytete zyrtare, Tiranën e Prishtinën. Ishte një kërkesë e panegociueshme e ndërkombëtareve që flamuri të mos ketë ngjashmëri me simbolet e shteteve të tjera, veçanërisht me atë shqiptar. Frymëzimin e shoh në një tjetër aspekt, në atë të ndjenjës së lirisë dhe sigurisë për të cilën kanë vuajtur aq shumë bashkëkombësit tanë. Edhe pse flamuri blu me yje do t'i ngjajë më shumë Bashkimit Evropian, në zemër do kenë bujarinë dhe atdhetarizmin që i ngjall vetëm një flamur, ai kuq e zi. Janë vrarë shumë të rinj për atë flamur, janë djegur shumë shtëpi e janë derdhur shumë lot. Kështu që flamuri zyrtar do jetë thjeshtë një frymëzim për të kujtuar çdo ditë që janë të pavarur, ndërsa flamuri kuq e zi, që janë shqiptarë.
Marre nga TiranaObserver
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment