8/19/09

TO:Katastrofa e Gerdecit

Rezart Lahi
Drejtor i Lajmeve në TV Shijak

1. Katastrofa e Gërdecit është sekondi që të ngjall revoltë për atë papërgjegjshmëri të shtetit në çdo detaj të ngjarjes. Nuk ke se si të mos përfshihesh nga emocionet e të bësh një analizë të ftohtë tek secili nga ne, kur ka parë njerëz të copëtuar e të djegur që vinin si mall pa zot në spitalet tona pa gjak e ilaçe. Është debatuar shumë se kush është përgjegjës për këtë tragjedi që i kalon përmasat e vetë fjalës. Duke mos dashur të besoj se është një keqdashje e dikujt, jam i sigurt që zyrtarët e lartë ndodhen në atë karrige, së pari për të bërë gjënë më elementare të një shteti, sigurimin e jetesës së shtetasve të tyre dhe pastaj le të kalojnë tek mirëqenia. Është abuzim i mirëfilltë i qeverisë të deklarosh se nuk kishim asnjë të drejtë mbi kontrollin e fabrikës. Si mund lejosh çmontimin e predhave, në mes të një qendre të banuar, nga gra e fëmijë të mitur. Kam qenë pothuajse në çdo shtëpi pas shpërthimit dhe punëtorët tregojnë haptas që pinin edhe duhan gjatë çmontimit të predhave. Si mund të thotë një ministër që sigurinë e predhave dhe të gjithë atij eksplozivi e lë në duart e një kompanie private, qoftë amerikane, shqiptare apo kineze? Unë vetë kam qenë në administratën e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes (DTRA) për shkatërrimin e armëve e jam dëshmitar që shteti shqiptar është i detyruar në bazë të ligjit të monitorojë që nga fletëhyrjet e deri tek masat e sigurisë. Dhe për këtë nuk ka asnjë lëshim, asnjë justifikim. Pra e konsideroj tërësisht një papërgjegjshmëri të tejskajshme shtetërore, që ka shkatërruar jetën e qindra familjeve me të afërm të vdekur, plagosur, me shtëpi apo biznese miliona euroshe të shkrumbuara. Një dëm njerëzor e ekonomik që do duhet vite ta shlyejmë me taksat tona dhe jo me rrogat e zyrtarëve të papërgjegjshëm që firmosin kontrata vdekjeprurëse. Informacionet fillestare të çojnë pastaj përtej abuzimit dhe të sjellin skenarë sabotimi jo vetëm për të frenuar anëtarësimin në NATO, por edhe për të nxjerrë zbuluar trafiqe ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë. Megjithatë, e pakta është një skandal që i kalon përmasat e një dorëheqjeje. Jam mjaft kurioz të shoh detajet e një investigimi që gazeta më prestigjioze amerikane “NEW YORK TIMES” ka bërë që para gjashtë muajsh për fabrikën e Gërdecit dhe abuzimet me armatimet shqiptare nga individë të caktuar.


2. Absolutisht që kjo katastrofë nuk mund të jetë një pendesë e radhës për një firmë të nxituar të ndonjë vartësi. Jam i bindur që, veç përgjegjësisë politike për zyrtarë të lartë apo vartës të tyre, ka një Kod Penal që ndëshkon abuzuesit e detyrës, aq më tepër kur bëhen shkak për vdekjen e një njeriu. Po për rrafshimin e një fshati, për më shumë se 20 viktima, që mund të jetë bilanci përfundimtar, si duhet të jetë ndëshkimi i personave që informohen se në mes të shtëpive të banuara çmontohen predha. Në gusht të 2007 kjo magazinë e veshur me llamarina u rrethua nga flakët, asgjë nuk u bë. Gjatë muajve të fundit kanë ndodhur disa incidente në këtë repart, asgjë sërish. Sipas kryeministrit, çmontimi i municioneve do bëhej në zonën e banuar sepse ishte një kërkesë e kompanisë. Kam frikë se nesër një tjetër kompani do kërkojë që minat t’i çaktivizojmë brenda unazës, pasi në këtë mënyrë do kishte kosto më të ulët transporti.

3. Numri i personave përgjegjës që dënohen nga drejtësia është shumë i vogël, pasi tek ne gjithmonë faji bie mbi viktimat. Faji bie mbi punëtorët që rrëzohen çdo ditë nga skelat, edhe pse nuk kontrollohen nga inxhinierët e sigurisë dhe as nga Ministria e Punës. Faji bie mbi varkëtarin e Farkës që hipi 20 vetë në varkë, edhe pse shteti e lejonte që ai dhe dy vajzat e tij të ishin përgjegjës për jetën e klientëve të restorantit (që i ishte dhënë licenca pa patur një rrugë). Faji bie mbi shoferët, edhe rrugët janë ndërtuar pa asnjë standard, tabelë apo sinjalistikë. Edhe pse polici lejon shoferin e ministrit, të fortin e lagjes, të thyejë çdo rregull rrugor. Faji bie tek më i dobëti, pasi më i forti paguan, njeh apo detyron. Më i dobëti është gjithmonë viktima.

No comments:

Post a Comment