8/19/09

TO: Si e ka nisur detyrën Ina Rama

Si e ka nisur detyrën Ina Rama Shkruar nga T.O. Wednesday, 06 February 2008

Si e ka nisur detyrën Ina Rama

Rezart Lahi drejtor i lajmeve ne “SHTV”

1. Që të krijosh një perceptim të saktë mbi eficiencën e një institucioni apo drejtuesit e tij, duhet nisur nga rezultatet e punës. Për një pozicion delikat si ai i Prokurorit të Përgjithshëm, koha që Ina Rama ka në drejtim të këtij institucioni është e shkurtër për të bërë një analizë paraprake si për performancën pozitive ashtu edhe atë negative.
Gjithsesi duhet pranuar se Rama është e vetëdijshme për një pjesë të problemeve që janë hasur prokurën shqiptare, siç janë ato me noterinë apo edhe rrjedhja e informacionit nga vetë prokurorët. Solla në vëmendje këto dy fakte, të cilat diheshin që më parë, por Kryeprokurorja e re shkoi edhe më tej, duke i sfiduar publikisht. Pra diçka po lëviz. Mbetet për të parë nëse organi që drejtohet tashmë nga Rama do t'i rikthehet edhe dosjeve të cilat mazhoranca i ka etiketuar çështje të mënjanuara nga Sollaku.

2. Lidhur me lëvizjet e fundit në organin e prokurorisë, nuk mund ta gjykojmë akoma për saktësinë e tyre, por të nevojshme (nëse znj. Rama i ka gjykuar të tilla) po. Si një institucion në ristrukturim, prokurorja e Përgjithshme ka të drejtë të përzgjedhë stafin me të cilin ajo do të kryejë misionin për të cilin është votëbesuar dhe ka marrë mandatin. Asaj i mbetet për të krijuar një fizionomi të re të organit të akuzës qoftë edhe për t'i hequr edhe atë konotacion politik që u mbart gjatë kohës që u drejtua nga paraardhësi i saj, Theodhori Sollaku.
Të paktën tashmë edhe qeveria nuk do të ketë pse të ankohet se në organin e akuzës qëndron një mbështetës i opozitës dhe se po i bllokon aksionet e saj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, akuzë që i është faturuar Sollakut.

3. Nuk dua ta besoj që kjo është një prokurori e re politike, por gjithsesi pretendimet e Partisë Socialiste janë të vazhdueshme dhe është e nevojshme që ato të kenë një përgjigje. Në gjykimin tim, në Shqipëri drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme që të mos jetë i paragjykuar nga njëri krah i politikës, duhet të vijë nga një tjetër planet, nisur nga eksperienca 17-vjeçare dhe dosjet e shumta të pazbuluar që kërkojnë gjithmonë një përgjigje.
Në këtë rast pretendimet e opozitës nuk duhet lënë mënjanë dhe nuk duhen neglizhuar. Socialistët e akuzojnë Ina Ramën se nuk po heton çështjen e rrugës Durrës-Kukës. Le të shërbejë sqarimi i kësaj dosjeje si një gur prove për të treguar nëse Ina është pjesë në shërbim të një misioni kushtetues dhe jo politik.

No comments:

Post a Comment