8/19/09

Moisiu: Mediu më fshehu informacionin për trafiqet e armëve

Moisiu: Mediu më fshehu informacionin për trafiqet e armëve

Nga Rezart Lahi, TV Shijak
Botuar nga Gazeta Tema
20.06.2008

Z. Moisiu, parë në optikën e ish-presidentit, si e gjykoni rrëzimin e pesë dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë?
Kjo është një gjë që nuk duhet të ndodhte. Është një sinjal jo i mirë që jepet për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Janë tri institucione të rëndësishme, Presidenti, Kuvendi dhe Kryeministri. Dekretet duhet të shqyrtoheshin në mënyrë më të përshtatshme, që të mos vinim te kjo situatë. Shqyrtimin duhet ta bëjë më mirë Komisioni i Ligjeve. Ai edhe mund të ndalet dhe mund të kërkojë të dhëna më plotësuese, pasi është vërtet institucioni i parlamentit që duhet të hyjë në këto detaje. Në raport me dekretet e presidentit, ka tri shprehje që përmend Kushtetuta: Miratim, Pëlqim dhe Shqyrtim.

Pra, këto terma që janë vendosur në Kushtetutë, nuk janë vendosur se konstitucionalistët nuk njihnin gjuhën shqipe, por pas çdo shprehjeje ka një procedurë. Këtu është tepruar nga ana e parlamentit, pasi presidentit nuk mund t’i vihen kufizime të tilla që “duhet patjetër të konsultohesh”. Ka konsultim politik dhe profesional dhe besoj se këshillim profesional duhet të jetë bërë. Kam dëgjuar shpesh që thuhet se, meqë nuk është konsultuar, ka shkelje kushtetuese. Nuk ka detyrim kushtetues për këtë. Është e drejta e Presidentit të Republikës që t’i emërojë dhe t’ia paraqesë këto kandidatura parlamentit.
Ka patur një defekt. Komisioni i Ligjeve nuk ka bërë detyrën e tij. Ka dy anë negative shumë të mëdha. Kjo krijon përplasje shumë të mëdha mes kreut të shtetit dhe ekzekutivit. Ndërsa, e dyta, kemi të bëjmë me paralizimin e Gjykatës së Lartë, e cila futet në kolaps. Tani, Gjykata e Lartë është jashtë funksionit normal, pasi mbetet me 10 anëtarë.

Keni njohje për propozimet e presidentit dhe a kanë arsye individuale për t’u refuzuar?
Një pjesë të mirë i kam njohur dhe kam patur kontakte me ata. Mund të them që janë juristë të mirë. Ky ka qenë një gjykim thjesht politik në raportin president –parlament, një gjykim prej force.

Sa e dëmton skenën politike kjo përplasje Topi-Berisha?
Jemi në vështrimin e gjithë botës, për NATO-n, BE-në etj. Jemi në vëzhgim të thellë për zbatimin e demokracisë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi mund ta paguajë mjaft rëndë i gjithë vendi.

Ky konflikt u evidentua sidomos pas ndryshimeve kushtetuese, për të cilat kreu i shtetit tha se nuk i ishte marrë as mendimi. Kujtojmë që pas këtij momenti, Topi i ktheu parlamentit disa ligje mjaft të rëndësishme për mazhorancën. Kemi të bëjmë me një mënyrë për t’iu kundërpërgjigjur me bllokim?
Do të ishte fatkeqësi, nëse do të ishte e tillë. Nuk mundet që në nivele të larta politike të ketë nivele hakmarrjeje. Kjo do të tregonte një nivel shumë të ulët të drejtuesve të lartë politikë, por nuk besoj se është kështu. Nga eksperienca ime, asnjëherë nuk kam kthyer ndonjë ligj, duke u nisur nga marrëveshjet, por duke u bazuar te Kushtetuta. Është e drejta e presidentit për t’i kthyer ligjet që i gjykon me probleme.

Çfarë ndikimi mendon se do kenë ndryshimet kushtetuese në fuqinë e presidentit?
Unë jam në nënshkruesit për të zhvilluar referendum për ndryshimet. Nuk pati ndryshime te vogla elementare por themelore. Janë gjë tjetër ndryshimet për sistemin zgjedhor, pasi pati një diskutim të gjerë paraprak. Ndryshimi i zgjedhjes së presidentit është absurd në një kohë që kemi Avokatin e Popullit që zgjidhet me 84 vota. Atëherë, kush është më i rëndësishëm? Mënyra si u zhvillua, si qytetar dhe si ish-president, nuk më ka pëlqyer. Presidenti Topi ka mbajtur një qëndrim të drejtë, pasi aq ka mundësi, aq i lejon Kushtetuta. Gjatë drejtimit tim ka patur dy ndryshime kushtetuese. Për shtimin e numrit të anëtarëve të KQZ dhe kohëzgjatjen e mandateve të kryetarëve të bashkive, për të cilat ishte diskutuar gjatë.

Sa është e mundur që në të ardhmen të kemi një president partiak?
Ndryshimet kushtetuese duhen peshuar mirë dhe duhet marrë mendimi i specialistëve dhe i Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Evropës, gjë që në dijeninë time nuk ka ndodhur. Unë gjykoj që kjo ishte një gjë e shpejtuar. Kushtetuta duhet miratuar me referendum dhe populli shqiptar duhet të jetë ai që të thotë fjalën e fundit.

Kur keni qenë president, keni punuar me Berishën. A është i vështirë bashkëpunimi me të?
Sigurisht, përplasje apo mospërputhje mendimesh mes presidentit dhe kryeministrit është normale të ketë, por ka rëndësi mënyra sesi zgjidhen. Mospërputhje kam patur edhe me ish-kryeministrin, Nano, edhe me Berishën. Kryeministri aktual ka bindjen se çdo gjë që mendon e gjykon, është katërcipërisht e të vërtetë, e dobishme dhe e nevojshme. Berisha duhet ta korrigjojë këtë. Presidentit dhe kryeministri kanë përgjegjësi para kombit dhe brezave që vijnë për zhvillimin e vendit dhe sigurisht që historia të dënon.

Lidhur me tragjedinë e Gërdecit, tashmë duket se ka një tentative që ushtria dhe ekzekutivi të bëjnë përgjegjës njëri-tjetrin për 26 jetët e humbura.
Gërdeci ia vlen që t’i shkohet deri në fund, pasi përndryshe harrohet. Të dalë vërtet kush është përgjegjësi dhe ai të japë llogari. Zgjedhja e këtij vendi ka qenë papërgjegjshmëri, pasi nuk mund të zgjidhej ai vend. Është për të ardhur keq që po mundohet të shmanget përgjegjësia e Gërdecit, nga politike po tentohet të shkohet në përgjegjësi teknike. Në radhë të parë duhet të dalë përgjegjësia politike. Politikanët kanë marrë vendimin për vendin, pasi vetëm ato e kanë këtë të drejtë. Çfarë kanë patur parasysh, përfitim personal apo e kanë bërë nga padija? Ky është një krim shtetëror, sepse duket qartë që ka qenë një korrupsion i pastër. Gjykoj që ndarja e përgjegjësisë është shumë e padrejtë. Ka një tendencë t’i hidhet ushtarakëve. Shtabi ka kundërshtuar edhe ndërtimin në Bërzhitë, ndërsa Gërdeci ishte vendim politik. Po shkarkohen gjeneralët si pa gjë të keq. Një gjeneral nuk përgatitet aq kollaj, pasi nuk është një nëpunës i thjeshtë shteti. Nuk mundet ta hedhësh poshtë kaq kollaj këtë njeri. Për të shkarkuar një gjyqtar, kemi një sërë procedurash. Ushtria nuk mund të trajtohet kështu, pasi ka qenë viktimë e politikës që në kohën e diktaturës. Ata mund të themi që kanë përgjegjësi për të lajmëruar. Por kjo është pasojë e një trysnie të madhe që ushtron politika mbi ushtarakët, kollaret mbi uniformat. Nuk mund të ecet më kështu. Nëntë gjeneralë kemi gjithsej, disa i shkarkuam. Por, të shkarkosh numrin një të ushtrisë?! Nuk bëhet kaq kollaj kjo punë.

Prej pak kohësh, kryeministri Berisha i kishte kërkuar presidentit shkarkimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ndërsa Topi e dekretoi vetëm pak orë para votimit të dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Shikoni lidhje mes këtyre dy momenteve?
E kam vështirë ta them, pasi nuk e di procedurën e shkarkimit. Në këtë rast është mbajtur një sekret mjaft i madh. Nuk di sa dijeni kanë patur vetë ushtarakët për gjithçka po ndodh. Në një rast, në mars të 2007, mora vesh që u kapën katër ushtarakë të një reparti të Beratit që u kapën duke transportuar armë në mënyrë ilegale. I kërkova informacion Mediut, por ai ishte në Britani dhe kërkova të vijë zv/ministri. Mediu urdhëroi zëvendësin e tij të mos shkojë, pasi ishte vetëm kompetencë e tij. Për çudi, pas Gërdecit hapa ditarin tim, ku kisha shënuar për këtë ngjarje këto fjalë: “Ç’është kjo? Është një provokim apo duan të më fshehin diçka?”
Kaq kam shënuar dhe nuk e kisha idenë se çfarë po bëhej.

Kryeministri Berisha ka paralajmëruar reformë në shërbimet e sigurisë kombëtare.
Këtu shërbimet sekrete nuk kanë përgjegjësinë në formën që paraqitet, pasi këto ishin vendimet e qeverisë. Ishte një problem i mbyllur që nuk ka patur qasje për shërbimet sekrete.

Reformat duhet të ndalet vetëm tek emrat apo te reforma për mirëfunksionimin e institucionit?
Keni prekur elementin thelbësor të reformës, pasi shpesh e konceptojmë me emra individësh. Kryesorja është hartimi i legjislacionit për të rritur të drejtat dhe detyrimet e tyre. Në këtë rast, duan të bëjnë ndryshime në shërbim, duke përdorur këtë pretekst. Kjo nuk është e drejtë.

Prej një viti jeni jashtë zyrës së Presidencës dhe a jeni i kënaqur me statusin?
Trajtimi pas detyrës ka defekte. Jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi ligj, por vendim qeverie për statusin e ish-presidenteve.


Marre me shkurtime nga "TARGET"

No comments:

Post a Comment