Ceka: Jemi dakord të bëjmë koalicion djathtas
Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, flet në emisionin “Target”, në TV Shijak
Si i gjykoni qëndrimet e PD dhe PS lidhur me reformën zgjedhore?
Mendoj që janë një konflikt interesash me këtë reformë, pasi një reformë ndërmerret në favor të elektoratit dhe jo në favor të partive dhe, veçanërisht, kur dy partitë e mëdha mendojnë se kanë 94 vota për ndryshime kushtetuese, mundohen ta fiksojnë reformën në Kushtuetë. Synimi është i qartë, është një lloj paniku dhe krize i dy partive të vjetra që mundohen të bëjnë një frenim të elektoratit që po ikën nga to. Kjo u vërtetua në zgjedhjet lokale të shkurtit 2008, ku u pa qartë dhe pa hile që dy partitë bashkë kanë 43 % të elektoratit. Ky është alarmi i përbashkët që i çoi për të planifikuar në reformën që do t’i përkthejë një votë në dy deputetë.
Nëse i analizojmë PD dhe PS të ndara, cila del më e fituar nga ky zhvillim politik?
Gjithmonë del ai që është në pushtet. Por, ka diçka që duhet llogaritur. PD është parti e luftës me emra. Po të shohësh edhe rezultatet e përgjithshme, gjithmonë PD ka më shumë vota si mazhoritar sesa në proporcional. PS është më e fortë në zonat me popullsi të madhe.
Duket se është krijuar një çoroditje mes militantëve dhe anëtarëve të partive të majta dhe të djathta. Kë dëmton ky konfuzion?
Ka një çoroditje, por është në dëm të Ramës dhe Partisë Socialiste, sepse që në qershor të 2006 u bë një marrëveshje për marrjen e pushtetit në 2009 ose më përpara. Deri tani koalicioni nuk kishte probleme që nuk mund të zgjidheshin dhe ishte pranuar që Rama të ishte lider, edhe pse nuk ishte e lehtë që drejtues të vjetër politikë si Meta, Gjinushi etj., ta pranonin si të tillë. Në momentin e fundit Rama rrëshqiti drejt së djathtës. Ne kemi vuajtur nga autoritarizmi dhe ekseset në drejtimin e pushtetit nga liderë të partive të mëdha si Berisha, Nano dhe më tepër se të gjithë nga Rama, i cili, qoftë me mënyrën si po trajton Partinë Socialiste dhe me ambicien e tij të pakuptimtë, që pa marrë akoma pushtetin, mundohet të sigurojë një pushtet absolut. Ndryshimet kushtetuese rrisin në mënyrë asimetrike në krahasim me parlamentin fuqinë e kryeministrit.
Një qeveri e fortë do rriste ndjeshëm eficiencën krahasuar me kabinetet, ku aleatët kanë ministritë e tyre, apo jo?
Aleatët e PD kanë drejtuar ministritë më të suksesshme si ajo e Pollos, Mediut, Ndokës etj. Performanca e qeverisë ka qenë e mirë, edhe pse opozita nuk është asnjëherë e kënaqur.
Akoma duket se partitë e vogla nuk kanë krijuar një grupim të mirëfilltë për të kundërshtuar nismat e PS dhe PD. A krijon kjo një problem në përballjen me to?
Gjithë procedura nuk është transparente dhe kushtetuese. Nuk preket Kushtetuta vetëm me propozime telegrafike, por duhet një studim dhe konsultim me i gjatë, pasi nuk po prekim copa letrash. Kjo është e paimagjinueshme në një shtet demokratik. Kjo krijon një absurd, pasi një deputet i Kukësit do të zgjidhet me 20 mijë vota, ndërsa i Tiranës me 3800 vota. Le t’ia shpjegojnë kuksianit se vota e tij do vlejë katër herë më pak se ajo e atij që jeton në kryeqytet. Në total partitë e vogla kanë më shumë elektorat se partitë e mëdha. Më mirë bashkojmë votën e kandidatin me partinë dhe zhduket Dushku.
Si vijnë te ju propozimet për ndryshime kushtetuese, specifikisht për zgjedhjen dhe kompetencat e presidentit?
Kemi zgjedhur një president me aq mundim. Vjen nga një traditë e gjatë e PD që përfaqëson një elektorat të madh. Vjen një zonjë dhe na lëshon një copë letër dhe propozon gjithë këto ndryshime në ligjin themeltar. Duhet t’i kishte shkuar edhe presidentit një kopje dhe duhet të ishin pyetur edhe specialistët, pasi aty, në atë dokument, ka gafa. Nëse znj. Trashani do të ishte studente, do ta kishte humbur provimin dhe do ishte përjashtuar nga fakulteti, pasi parlamenti nuk është një vend, ku mund të shkruash hartime. Presidenti nuk është një person që i ke dhënë Honoris Causa dhe t’i firmosen aktet nënligjore nga kryeministri.
Besoni se PD do t’i shkojë deri në fund propozimeve të saj për ndryshime kushtetuese?
Këto kërkesa nuk do të shkojnë kot, por ka një përpjekje për të fshehur Gërdecin. Nuk është puna thjesht te bilanci i tragjedisë, por edhe i sistemit korruptiv që kemi vendosur. Në Gërdec jo vetëm që nuk ka duar të pastra, por ka duar të nxira me barut e gjak dhe gjithçka bashkohet te Delijorgji. Delijorgji është mik i Ramës. Për mijëra metra katrorë Delijorgji ka marrë lejen e ndërtimit në pjesën më të mirë të Tiranës. Edhe pse është e pamundur të marrësh nga Edi Rama që kontrollon personalisht çdo leje ndërtimi të dhënë, Delijorgji ka bërë ndërtime në mijëra metra katrorë në Tiranë. Ky biznesmen ka lidhje edhe me të djathtën, por me Ramën është e sigurt që ishte i lidhur.
Lidhur me zgjedhjen e presidentit është absurde që të jetë me 71 deputetë, pasi Avokatit të Popullit i duhen më shumë kartona. Presidenti do shndërrohej në vegël të një grupi të vogël partiak. Nëse do ishte e mundur, le t’ia fuqizojmë kompetencat kreut të shtetit dhe jo të bëjmë të kundërtën.
A do jeni të gatshëm për të hyrë pa PS në zgjedhje?
Ne nuk jemi pjesë e koalicionit të LSI, por ne jemi në një bashkëveprim me ta për të mbrojtur sistemin proporcional. Do jem shumë kurioz të shoh z. Rama si do dalë në tribuna për të reguar se kush janë njerëzit, me të cilët ai do përfaqësojë politikën e re, por që janë xhaketa të vjetra.
Do e ndihmonte Berishën kjo përçarje e së majtës?
Vetë mënyra sesi hyn Rama, do të diskreditohet përfundimisht “politika e re” e tij. Nga një anë deklaron bashkim përtej të majtës e të djathtës, nga ana tjetër përjashton aleatët dhe kjo nuk krijon ndonjë besim të madh.
Me këtë sistem që ne kërkojmë, nuk kemi nevojë për koalicione parazgjedhore, pasi i vë të gjitha partitë në startin e tyre dhe gjithçka ndodh pas zgjedhjeve.
A e përjashtoni mundësinë e bashkëpunimit me të djathtën?
Ne jemi parti e qendrës që kemi dalë nga PD dhe jo nga PS. Ne mendojme se aleancat më të mira bëhen pas zgjedhjeve. Jemi dakord të bëjmë edhe djathtas në koalicion. Nuk e bëmë deri tani, sepse kishim dalë me vota nga një koalicion i majtë. Nuk mund të shkonim në grup me Berishën, ku kishim edhe vendin, më shumë se Xhuveli apo PBDNJ, pasi morëm vota nga e majta.
No comments:
Post a Comment