Konsensusi PS-PD
Shkruar nga T.O. Wednesday, 23 January 2008
Ishte e qartë, që ky vit do fillonte me tone më të zbutura si pasojë e kohës së shkurtër që ka mbetur deri në Samitin e Bukureshtit dhe jo si një rizgjim i ndjenjave të bashkëpunimit mes të majtës dhe të djathtës. Secila palë do të kishte një kosto politike nëse do tregohej e pamatur dhe refuzuese.
Veç kësaj, duhet thënë që konfliktualiteti politik ka ardhur duke u ulur. Kohët e fundit shihet qartë një marrëdhënie e re mes Berishës dhe Ramës. Ndryshe nga më parë kreu i PS-së po tregohet më i kujdesshëm kur përmend kundërshtarin e tij. Edhe Berisha ka “harruar” emrin Edvin që i bashkëngjitej akuzave të kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe të PS-së.
Gjykoj se fryma e bashkëpunimit është hapi i parë ku marrin start reformat që konkretizohen nga ekspertët e fushës. Gjithsesi reforma zgjedhore do karakterizohet nga një marrëveshje mes dy partive të mëdha për lënien e hapësirave për të vegjlit që i përdorin në raste të caktuara si levë për të shndërruar ngërçe politike në një lojë shahu.
2. Dashamirësia e të dy kampeve buron nga një frikë për dënime politike. Opozita ka zgjedhur një strategji të mirëfilltë politike, ku në të dy rastet mundohet të dalë e pastër. Nëse merret një ftesë për në NATO, do të amplifikojë që ajo ishte e para në ofertën konkrete për bashkëpunim dhe se pjesa kryesore e meritës i takon asaj.
Në rast të kundërt kampi i majtë do t’i veshë mazhorancës turpin e ngecjes së reformave si dhe paaftësinë menaxheriale. Ndërsa nga ana tjetër, zyrtarët e PD-së kanë nevojë të theksuar për këtë bashkëpunim, pasi kryerja e reformave zgjedhore dhe e asaj në drejtësi është pragu që duhet të kapërcejnë për ftesën e anëtarësimit në NATO.
Ka mjaft arsye që i çojnë të dy palët të shtrijnë dorën e bashkëpunimit, ku kryesorja padyshim është afati të mirëpërcaktuar kohor. Megjithatë akoma nuk ka filluar ndërtimi i ngrehinës së reformave. Ky do jetë momenti ku mazhoranca mund të kërkojë më shumë varësi të institucioneve nga ekzekutivi gjë që do të kundërshtohet nga opozita. Duke llogaritur presionin ndërkombëtar, këto dy muaj do jenë një shtrëngim dhëmbësh me buzëqeshje në fytyrë.
3. Gjasat më të mëdha janë që kjo ftesë të merret, moment që do pasohet me detyrime edhe më të mëdha. Është lehtësisht e lexueshme që opozita dhe mazhoranca do rendin të rrokin flamurin e fitimtarit siç ndodh edhe me zgjedhjet. E rëndësishme është që Shqipëria do ketë më shumë kurajë të kërkojë afrimin me Bashkimin Evropian, me krijimin e një imazhi më të mirë. Ndërsa, nëse Shqipëria nuk merr ftesën për në NATO, do rriten zërat kundër qeverisë.
Gjithsesi nuk pritet të ndodhë ndonjë ndryshim i madh përveë zëvendësimit të ndonjë ministri fatkeq. Kjo pasi vetë Berisha në analizën e fundvitit nuk dha të kuptonte se do mbante përgjegjësi si kryeministër apo si lider i mazhorancës në rast dështimi për marrjen e ftesës.
Shpresat e opozitës për një revansh që mund të zgjasë deri në 2009, do shtohen dhe mund të përdoret si gur shahu në argumentet anti-Berishë. Patjetër që oborri i djathtë do të përdor çdo deklaratë të ndërkombëtarëve për progres minimal për të sfumuar rëndësinë e një note ngelëse për qeverinë shqiptare.
Vështirë të ketë një analizë të thellë të shkaqeve që mund të sjellin refuzimin e ftesës, pasi këto dy reforma janë refreni i ndërkombëtareve prej kohësh dhe vetëm dy muaj para afatit kemi të bëjmë më një vullnet unanim.
8/19/09
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment